Tatuazhet e Veriut
"Luleboje" të gdhendura mbi shpinë të dorës
Tatuazhet i kemi njohur relativisht vonë. Në fillim nga djemtë e lagjes që ktheheshin nga ushtria. Ata tregonin me krenari o krahun, o parakrahun e tyre, ku me siguri do të qe gdhendur ose ndonjë tank, ose ndonjë spirancë dhe më rrallë ndonjë femër me goxha të ndenjura.
Pastaj erdhi shpërthimi i modës së tatuazheve që janë njësoj si ato simbolet aziatike që mbajnë të rinjtë anë e kënd globit. Me pak fjalë, na ishte krijuar bindja se tatuazhet mes nesh janë gjë relativisht e re. Porse ka qenë një bindje e gabuar.
Mjafton të shfletojmë një dorëshkrim të vjetër dhe ndërrojmë sakaq mendim. Janë malësorët e Veriut ata që na bëjnë të ndryshojmë mendje. Një simbol nazist për kohën tonë për ta nuk është veçse "dilli i Hotit", ose "drita e dillit t‘Zotit", apo një yll, që për ne është i Davidit hebre, për ta është "hylli i Pejgamerit".
Për ta nuk ekziston fjala eklips. Për ta një rreth i ndarë në të bardhë e të zezë nuk është gjë tjetër veçse "hana qi xen dillin" dhe kur ndodhte kjo, atëherë diçka e mbarë do të vinte me siguri. Një botë e mbushur me simbole, me besime dhe frikë, me dëshira dhe urime, kjo është bota e tatuazheve të malësorëve të Veriut.
Nëse i kundron gjatë këto tatuazhe, që kanë ardhur nga thellësitë e shekujve, duket sikur kridhesh në atë atmosferën e brymtë të maleve të Veriut tonë, atje ku koha nuk ecën aq shpejt sa poshtë ndër fusha e qytete, atje ku janë të përziera bashkë predikimet e priftit a të hoxhës me legjenda të stërlashta. Malësorët tanë vetëm vonë e kanë mësuar fjalën tatuazh.
Për ta simbolet që mbanin në trupin e tyre ishin thjesht "luleboje", pra zbukurime të bëra me bojë, të cilat sjellin fat e largojnë shpirtrat e këqij që i sillen rrotull çdo njeriu. Në disa raste ata tatuazhin e kanë quajtur thjesht "lule e bame me ferrë". Ferrë në këto anë i thonë gjembit të madh me të cilin bëheshin tatuazhet. Boja është në të shumtën e herëve e zeza dhe ishte po nga ai lloj që përdorej për të ngjyrosur mëndafshin.
Nuk mund t‘ua paraqesim këto tatuazhe pa folur për njeriun që i ka mbledhur ato për më shumë se tridhjetë vjet. Imagjinoni sikur sa herë të njiheni me një njeri, ta shikoni atë ngultas nga shpina e dorës. "Shumë i bukur. Kur e keni bërë dhe kush ua ka bërë? Ç‘do të thotë kjo shenjë"? Këtë pyetje personazhi ynë e ka përsëritur me qindra herë në më shumë se tridhjetë vjet ndër kasolle fshatarësh apo mbi karroceri kamionësh, në errësira kullash, apo mes barinjve në bjeshkë. Ai quhet Gëzim Uruçi, këtij duhet t‘ia dimë për nder këtë zbulim shumë të rëndësishëm etnologjik.
Së bashku me emrin e tij lind edhe vështirësia më e madhe e këtij shkrimi. Është vështirë të shkruash për Gëzim Uruçin, sepse ai në fakt ka shkuar dy jetë paralele. Që t‘i rrëfesh të dyja, do të duheshin disa gazeta të marra së bashku. Njëra ishte ajo që e lidhte me malin, me shpellat, me aparatin e tij fotografik të pandarë, me makinën e tij të shkrimit, me librat dhe me studimet e panumërta, me sportin dhe muzikën. Kjo ishte pjesa e mbarë e jetës së tij, ajo që e bënte të ndihej mirë dhe që do të dëshironte të zgjaste pa fund. Jeta e tij e dytë ishte e përditshmja, ajo që e dërgonte sa në fermë si punëtor i thjeshtë, pastaj si nxënës këpucar, më vonë si xhenerik e mekanik. Kjo ka qenë për shumë dekada jeta e përditshme e Gëzim Uruçit, një betejë pa fund për të mbajtur familjen e tij.
"Aventura" e tij më e fundit ishte mposhtja e një sëmundjeje të rëndë që e mbajti të paralizuar për disa vjet. Duke u çapitur na vë përpara një mal me dorëshkrime. "Janë afro 15 dorëshkrime. Këto të gjitha i kam gati për botim. Ma shumë janë të etnokulturës, speleologjisë dhe alpinizmit, por ka edhe ndonjë gjë letrare".
Kështu u njohëm me tatuazhet e Veriut që feksnin menjëherë në grumbullin e madh të letrave. "Katalogu i tatuazheve te shqiptarët", është titulli i dorëshkrimit që i përmbledh. Një pjesë shumë të vogël të tyre po e botojmë me shpjegimet e thjeshtuara, duke ruajtur dialektin gegnisht të mbartësve. Në origjinal ato janë shumë herë më të detajuara.
Sikurse do ta shihni, emrat e mbartësve të këtyre "lulebojëve" janë shënuar vetëm me iniciale. Gëzimi ka dashur t‘i ruajë malësorët nga ndonjë pasojë e mundshme. Asokohe të thoshe Krisht apo Pejgamber ishte njësoj sikur t‘ia vije vetë prangat vetes, pa le t‘i kishe të ngulitura fort nën lëkurën tënde këto simbole.
Kjo që do të shihni nuk është veçse një fije shumë e vogël nga puna kolosale që ka bërë ky njeri i habitshëm. Sekush prej nesh, që kemi vetëm një jetë në këtë tokë, lë gjëra pas. Disa mbeten, disa harrohen. Imagjinoni se çfarë ka lënë pas njeriu të cilin e cilësuam "me dy jetë".
Nr. 25
L.K.U., e datëlindjes 1898, bijë e Thethit. Nga fshati Nikç i Kelmendit. Monogramin e saj në dorën e djathtë ajo e quan "Tbani (kasollja në stan) i babës në Qafë Pejë me dritë t‘diellit t‘Zotit". Këtë tatuazh ia ka punuar një shoqe e saj nga Thethi. Është shkruar me bojë të zezë (regjistruar më 14 shkurt 1971).
Nr. 26
P.N.P., e datëlindjes 1890, bijë e Shoshit. Me banim në Nikç të Kelmendit. Tatuazhin në dorën e saj të djathtë ajo e quan "Tbani (kasollja në stan) n‘bjeshkë i mbuluem dhe me diellin plak n‘pullaz (në çati)". Nuk tregon se kush ia ka punuar. Është punuar me bojë blu. "Me mereqep shkollet", thotë mbartësja e saj (14 shkurt 1971).
Nr. 27
A.M.P., e datëlindjes 1899, bijë nga Lotaj. Banuese në Nikç të Kelmendit të Shkodrës. Figurën në dorën e saj të djathtë ajo e quan: "Dilli i Zotit". Atë ia ka punuar një kushërirë e saj, ndërsa ndodheshin në bjeshkë. Tatuazhi është punuar me bojë blu (15 shkurt 1971).
Nr. 55
F.K.I., e datëlindjes 1920, nga Dajçi i Bregut të Bunës së Shkodrës. Këtë tatuazh në dorën e saj të djathtë mbartësja e interpreton si "Kryqi i Fatit" dhe emrat e burrit të saj, Markut dhe të sajin, File. Tatuazhin e ka punuar vetë i shoqi i saj me bojë të zezë mëndafshi (11 gusht 1972).
Nr. 56
T.M.I., e datëlindjes 1918, bijë nga Bushati, banuese në Dajç të Bregut të Bunës. Tatuazhin e saj mbi dorën e djathtë ajo e quan: "Dilli i Shenjtës Mari". Ia ka punuar i shoqi pas martesës me bojën e zezë tradicionale të mëndafshit ( 11 gusht 1972).
Nr. 57
M.F.P., e datëlindjes 1900, nga Dajçi i Bregut të Bunës. Këtë figurë në dorën e saj të djathtë bartësja e quan: "Kur dilli xen hanën". Ajo nuk ka asnjë ide se çfarë mund të jetë eklipsi. Thotë se edhe gjyshja e saj nga Nënshati i Zadrimës e ka pasur një të ngjashëm. Vetë gjyshja ia ka bërë mbesës atëherë kur kjo e fundit ishte vajzë e re, vetëm pak muaj para martesës. Tatuazhi është punuar me bojë të zezë mëndafshi. Mbartësja na tregon se kur ishte e vogël, ajo kishte parë në shumë zona të Zadrimës gra dhe vajza që kishin të punuara tatuazhe të tilla, "me dill e hanë", por edhe me vetëtima e yje të vegjël, por përse i bënin, ajo nuk di ta shpjegojë (11 gusht 1972).
Nr. 58
F.N.K., i datëlindjes 1899, nga Pentari i Bregut të Bunës në Shkodër. Tatuazhin që mban në dorën e tij të djathtë ai e shpjegon kështu: "M‘nimo o Zot, me e dashtë Marijen me gjithë zemën". Tatuazhi është punuar nga një kushëri i tij në Suka të Dajçit pas katër vjetësh martesë. Vitet e martesës përfaqësohen nga katër kryqet e vegjël. Tatuazhi është punuar me bojë të zezë mëndafshi (13 gusht 1972).
Nr. 59
M.K.K., e datëlindjes 1908, nga Pentari i Dajçit të Bregut të Bunës në Shkodër. Tatuazhin e ka në dorën e djathtë. Sipas saj, kryqi i thyer është "dilli i Hotit n‘Malësi t‘Madhe", kurse dy inicialet janë germat e para të emrit të saj, Marije dhe të të shoqit, Matish. Ky tatuazh ka të njëjtin autor, kushëririn e të shoqit nga Suka e Dajçit. Katër kryqet dhe rrethi i vogël tregojnë se tatuazhi është bërë pas pesë vjetësh martesë. Rrethi nuk është gjë tjetër veçse një vit burg që kaloi i shoqi, Matishi, në Burgun e Podgoricës. Dënimi erdhi pas një sherri që Matishi pati me një malazez nga Tivari, ndërsa po peshkonte në Bunë. Tatuazhi është punuar me bojë shkrimi të zezë italiane (13 gusht 1972).
Nr. 60
M.P.K., e datëlindjes 1887, bijë nga Kukli i Lezhës, banuese në Pentarë të Bregut të Bunës. Tatuazhin e saj mbi dorën e djathtë ajo e shpjegon kështu: "Peshku i Shejtit Jezu Krisht me dill të Zotit, në gojë që po i jep jetë". Sipas saj, ajo, nëna e saj dhe shumë gra të tjera e kanë kopjuar nga një gravurë e kishës së msheftë në Malin e Kakarriqit, në të cilën Dom Ndre Zadeja bënte meshë "kur pat hy serbi n‘Shkodër". "N‘atë kohë shumë kisha në Zadrimë u vodhën e u plaçkitën. Unë vetë kam pasë marrë pjesë në shumë mesha në Kishën Shpellë të Malit të Kakarriqit", thotë mbartësja e tatuazhit, i cili është punuar me bojë të zezë (13 gusht 1972).
NR. 61
L.P.M., e datëlindjes 1903, nga Shirgji i Bregut të Bunës. Këtë figurë bartësja e quan thjesht "kryqi me rreze". Është punuar nga një shoqe e saj me bojë të zezë (15 gusht 1972).
Nr. 62
K.F.I., i datëlindjes 1908, nga Shirgji i Bregut të Bunës. Tatuazhin e tij mbi dorën e djathtë ai e quan: "Kryqi i shpirtit të Zotit, në kishë t‘rrënueme të Shirgjit në Breg të Bunës". Tatuazhi është bërë nga një shok i tij, i cili ka kopjuar motive nga muret e rrënuara të kësaj kishe. Tatuazhi është punuar me bojë qielli të errët. Bartësi i tij është i njohur në krejt zonën si interpretues popullor me gjethe (15 gusht 1972).
Nr. 63
M.K.I., e datëlindjes 1918, nga Shirgji i Bregut të Bunës. Është bashkëshortja e K.F.I.-së. Ky është munduar që të bëjë me të shoqen të njëjtën gjë që shoku i tij pat bërë me të. Mbartësja thotë se ky tatuazh i pëlqen shumë, sepse atë ia ka bërë i shoqi kur ishin të rinj. Tatuazhi është me bojë të zezë (15 gusht 1972).
Nr. 73
M.K.Gj., i datëlindjes 1892, nga Nikçi i Kelmendit. Tatuazhin mbi dorën e tij të majtë e ka bërë vetë në kohën e Luftës së Parë Botërore, apo "Italisë së Parë" sikurse e mban mend ai vetë. Asokohe ai ishte ushtar me pagesë në Shkodër. Tatuazhin e tij mbartësi e shpjegon si "Bajraku Shqiptar Katolik". Është përdorur bojë e zezë italiane (20 korrik 1975).
Nr. 74
P.T.V., i datëlindjes 1899, nga Nikçi i Kelmendit. Tatuazhin në dorën e tij të djathtë ai e shpjegon: "Shqypja e Shqypnisë". Atë ia ka punuar një kushëri i tij në Vukël. Është përdorur bojë e zezë "kinash" (një lloj bime me kokrra të zeza)dhe u regjistrua më 20 korrik 1975.
Nr. 75
A.L.S., e datëlindjes 1882, nga Nikçi i Kelmendit. Tatuazhi që ajo mban mbi dorën e djathtë paraqet sipas saj "Shenjtat e Krishtit me dill të gjyshave të Hotit". Tatuazhi është punuar nga djali i xhaxhait të saj, Martini, "i cili asht vra në Andrijevicë nga shkjetë për me na i vjedhë bagëtitë". Tatuazhi është punuar me bojë të zezë (20 korrik 1975).
Nr. 76
L.P.M., e datëlindjes 1907. Tatuazhin e saj në dorën e majtë me dafinë ("me gjeth larit") ajo e shpjegon kështu: "Ky asht gjethi i shenjtë i ditës së bekimit të të Lartit". Është punuar nga nëna e saj para se vajza të martohej, si ogur i mirë "që t‘i shkonte jeta bukur e erëmirë". Tatuazhi është punuar me bojë të zezë (2 korrik 1975).
Nr. 77
A.M.K., e datëlindjes 1889, nga Vukli i Kelmendit. Tatuazhin e saj mbi dorën e djathtë ajo e quan thjesht: "Peshku i t‘Shejtit Jezu". Është punuar me bojë të kaltër nga një kushërirë e saj, kur mbartësja ishte ende vajzë e re (22 korrik 1975).
Nr. 78
F.N.P., e datëlindjes 1897, nga Vukli i Kelmendit. Tatuazhin që mban në dorën e saj të djathtë e quan "Peshku i të madhit Zot, me dill t‘Hotit". Tatuazhin ia ka punuar gjyshja e saj kur ishte vetëm 14 vjeç. Kur e pyetëm për "Dillin e Hotit apo të Gjyshave t‘Hotit", ajo na u përgjigj se "qyshse asht kriju dyrnjaja, dilli asht pituru qeshtu. Bile dhe bajrakun e kanë pasë me nji dillë të madhe dhe dy buça (gjarpërinj) anash. Pa shqiponjë. Atje dhe në të tanë Malësinë e Madhe edhe gurt e vorreve i piturojnë me to, se janë gjanat ma të shenjta për to" (22 korrik 1975).
Nr. 79
A.K.V., nga Nikçi i Kelmendit. Tatuazhin e ka punuar vetë mbi dorën e majtë. Ajo e quan "lule bjeshke" dhe nuk bën asnjë koment tjetër (23 korrik 1975).
Nr. 80
N.D., e datëlindjes 1899, e besimit mysliman, nga Nikçi i Kelmendit. Mbartësja e ka në dorën e djathtë. Është punuar nga e ëma kur ishte vajzë e re, për ta ruajtur Zoti, "se kam qenë vajzë shumë e shkathët". Ajo vetë këtë shenjë e quan "Ylli i hazretit Pejgamerit me dill të Hotit". E mban të fshehur nga të tjerët, sepse ka një nip komunist dhe ka frikë se mos i prish punë (23 korrik 1975).
Nr. 81
G.F.M., nga Nikçi i Kelmendit. Shenjën që ajo mban në dorën e saj të djathtë e quan "Kryqi në bjeshkë të Jamës". Është punuar nga i shoqi me bojë të zezë (23 korrik 1975).
Nr. 172
M.K.N., e datëlindjes 1920, nga Gomsiqja e Vaut të Dejës. Tatuazhin mbi dorën e saj të djathtë e quan "Zemra e Jezu Krishtit" (17 shtator 1981).
Nr. 173
A.P.M., e datëlindjes 1917, nga Gomsiqja e Vaut të Dejës. Tatuazhin mbi dorën e saj të djathtë kjo malësore e quan "Zemra e Krishtit" (17 shtator 1981).
Nr. 174
K.F.P., e datëlindjes 1910, nga Gomsiqja e Vaut të Dejës. Tatuazhin që mban mbi dorën e saj të djathtë malësorja e quan "Kryqja e Krishtit". Tatuazhin ia ka punuar me bojë blu një kushëriri i saj në Mazrek (17 shtator 1981).
Nr. 175
Z.K.P., nga Gomsiqja e Vaut të Dejës. Ky malësor, brigadier i blegtorisë, na rrëfen se këtë tatuazh e kishte bërë në nderim të gruas së tij, me të cilën ishte dashuruar në aksionet në hekurudhë. Është punuar me bojë të zezë kineze (17 shtator 1981).
Nr. 177
L.P.N., e datëlindjes 1923. Malësorja që e mban tatuazhin në dorën e saj të djathtë jep këtë shpjegim: "Zemra e të lumit Krisht" (19 shtator 1981).
Nr. 178
S.P.P., e datëlindjes 1900, nga Mnella në Hajmel të Shkodrës. Malësorja e moshuar na thotë se tatuazhi që ajo mban në dorën e djathtë, ka këtë shpjegim: "Hana me zemrën e Krishtit". Tatuazhin e ka punuar një shoqe e saj nga Bregu i Matës (20 shtator 1981).
Nr. 179
L.M.K., e datëlindjes 1898, nga Mnella e Hajmelit në Shkodër. Kjo malësore na informoi se edhe gjyshja e saj dhe plot të moshuara që ajo mbante mend në të gjithë fshatrat e Malit të Rrencit, që nga Shëngjini e deri në malin Kolaj në Velipojë, mbanin të tilla "luleboje" (tatuazhe). Tatuazhin mbi dorën e saj të djathtë ajo e quan: "Dilli dhe hana e të lumit Krisht" (20 shtator 1981).
Nr. 180
N.F.P., i datëlindjes 1905, nga Mnella e Hajmelit të Shkodrës. Fshatari këtë tatuazh mbi dorën e tij të djathtë e quan: "Zemra dhe gozhda e Krishtit". Është punuar me bojë të zezë (20 shtator 1981).
Fatos Baxhaku
Always be yourself, express yourself, have faith in yourself, don't go around looking to duplicate a successful personality.
مواقع النشر (المفضلة)