Të famshmit që besojnë në domethënien mistike të numrave

Por, një numër gjithnjë e në rritje personazhesh të famshme, ku përfshihen Princ, Jusuf Islam (dikur i njohur si Ket Stivens) dhe Uainona Raiders po përdorin shifrat për të interpretuar personalitetin, për të shpjeguar ngjarjet, apo edhe për të parathënë të ardhmen.

Kolin Beikër, i Shoqatës së Numerologjisë në Britani, tregon për rritjen e ndjeshme të interesit në gjithçka që ka të bëjë me shifrat. Pjesëtarët e kësaj shoqate ftohen rregullisht në studio televizive apo radiofonike në data domethënëse, përfshi atë më të freskëtën, 7 korrikun (07.07.07).

Sonia Duki, anëtare e këshilltare e shoqatës, njëherësh edhe mësuese numerologjie, thotë se rritja "dramatike" e interesit për numerologjinë është një shenjë e kohës: "Kur shoqëria kalon periudha krizash, vërehet prirja që njerëzit i drejtohen besimit fetar dhe spiritualizmit për përgjigje".

Por jo të gjithë janë të bindur për këtë. Sajmon Sing, matematikan dhe autor librash shkencorë, thotë: "Numrat padyshim janë shumë interesantë - për modelet që krijojnë, vlerat dhe lidhjet mes tyre janë mbresëlënëse, kanë magjepsur matematikanët për mijëravjeçarë - por t‘u atribuosh fuqi të mbinatyrshme, qofshin këto parashikuese apo supersticioze, është thjesht e trishtueshme".

E trishtueshme apo jo, sidoqoftë, vërehet qartë se janë jo të paktë ata që i janë nënshtruar magjepsjes ndaj numrave - siç zbulon edhe përzgjedhja e disa obsesioneve pas numerologjisë që po ju ofrojmë më poshtë:

1. Teoria që qëndron pas numerologjisë perëndimore shtrihet në lashtësi, në Greqinë Antike dhe tek ideja pitagoriane, që gjithçka mund të shprehet në numra.

Të frymëzuar nga alfabetet grekë dhe hebraikë, ku germat përfaqësohen nga numrat, numerologët modernë u bashkëngjisin një seri shifrash emrave të njerëzve dhe i përdorin, bashkë me datat e lindjes, për të "zbuluar" karakteristikat e personave, si edhe të ardhmen e tyre. Por ka edhe tradita të tjera numerologjike, siç është ajo kinezja.

2. Uri Geler, individi që lë gjithë botën me gojën hapur, falë aftësisë për të deformuar lugët, beson verbërisht te fuqia e numrave dhe është i obsesionuar nga numri 1111.

"Besoj se njerëzit që kanë kontakt të pandërprerë me fenomenin 1111 kanë një lloj misioni pozitiv për të përmbushur", shkruan në sitin e tij në internet: "Kur shoh numrin 1111, lutem për fëmijët e sëmurë dhe paqen në botë".

3. Numerologjia zë një vend të rëndësishëm për të gjithë besimtarët shiitë dhe thuhet se Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmedinexhad, konsulton rregullisht atë që thonë numrat kur vjen fjala për të marrë vendime të rëndësishme politike.

Vitin që shkoi vonoi përgjigjet për kërkesat e drejtuara nga Kombet e Bashkuara mbi pasurimin e uraniumit, në mënyrë që ato të përkonin me një ditë të shenjtë në kalendarin islamik.

4. Kinezët supersticiozë tradicionalisht e lidhin domethënien e numrave me shqiptimin e tyre. Numri katër konsiderohet si ogur i keq, pasi tingëllon në mënyrë të ngjashme me fjalën vdekje, ndërsa numri tetë është oguri i mirë, pasi shqiptohet në mënyrë shumë të ngjashme me fjalën fat.

Numri i telefonit 8888-8888 u shit për më shumë se 270 mijë dollarë në një krahinë kineze, ndërsa Lojërat Olimpike do të hapen më datë 08.08.08 në orën 08:08:08 të mëngjesit.

5. Fizikani bizantin, Aet Amideni, e përdorte numerologjinë për të shëruar një seri sëmundjesh. Recetat për këto sëmundje ndryshonin sipas muajve. Këshillonte qumësht në shtator, hudhër në tetor, lakër në dhjetor e agjërim në korrik.

6. Ndoshta rasti më tipik në të cilin numerologët kërkojnë të gjejnë "domethënie" të numrave, u përket sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Selli Faubion shënon në sitin e saj në internet: "11 shtatori i vitit 2001 reduktohet në shifrën 5 (9+1+1+2+0+0+1=14; 1+4=5).

Që të dyja, 11-a (numri i ditës) dhe 5-a shënojnë data mjaft të rëndësishme në historinë amerikane".

Faubion vëren se numri i fatit të Amerikës, bëhet fjalë për atë të ditës së pavarësisë (4.7.1776) është, për ironi, gjithashtu pesë.

Edhe të tjerë e nënvizojnë domethënien e numrit 11 në sulmet e shtatorit.

Për shembull: i pari avion që goditi kullat ishte shënuar në librat e udhëtimit me siglën fluturimi 11; sulmet u kryen ekzaktësisht 11 vjet pasi Xhorxh Bush plaku mbajti para kongresit një fjalim të titulluar "Drejt një rregulli të ri botëror". 119 është kodi ajror i Iranit (1+1+9=11).

7. Numri 666, sipas Biblës "numri i bishës", ka pasur përjetësisht domethënie të tmerrshme për të gjithë fobikët e Satanait.

Një prift amerikan, i quajtur Xhim Sersi, dikur deklaroi se princi i Uellsit ishte vetë anti-Krishti, pasi në numerologjinë hebraike germat që përbëjnë fjalët "Prince Charles of Wales" përkojnë me shifrën 666.

Ai, gjithashtu, kishte parashikuar se botës do i vinte fundi në tetor të vitit 2000.

8. E marta e 6 korrikut të vitit të shkuar (06.06.06) u prit me tmerr nga të gjitha ato nëna në prag lindjeje, të cilat nuk donin kurrsesi që fëmija e tyre të lindte në atë ditë.

Por, nuk ishte e tillë për Suzan Kuper, e cila lindi në orën 06:00 të mëngjesit një djalë me peshë 6 libra në datë 06.06.06. Djali u quajt Daminen.

Sipas asaj që shkruhej të nesërmen në mëngjes në "The Mirror", i ati kishte thënë: "Ishte një djallo lindje - pak a shumë si një spektakël horror".

9. Disa numerologë kristianë parashikuan se ngjarje të kobshme do të ndodhnin më 06.06.06. Tom Çeis, një shkrimtar amerikan, përdori astrologjinë dhe Biblën për të përllogaritur sa shpejt do të dilte në skenë anti-Krishti, i ndjekur nga rënia e një asteroidi; gjithçka do pasohej brenda një apo dy vjetësh nga beteja e Armagedonit.

Sipas Çeis, anti-Krishti është Vladimir Putin.

10. Xhirimet e filmit "The Omen" në vitin 1976, një horror klasik, në të cilin familja e një djali të quajtur Damien nuk ishte në dijeni të faktit se djaloshi është Satanai, u ndoq nga një seri e pashpjegueshme krizash numerologjike.

Aktori Gregori Pek, protagonist i origjinalit të realizuar në vitin 1976, dhe skenaristi David Seltzer, morën avionë të ndryshëm për të shkuar në Angli, por që të dy avionët u goditën nga rrufetë. Versioni i ri i filmit "The Omen 666" u hodh nëpër kinema më 06.06.06.

11. Portieri i skuadrës Kombëtare italiane të futbollit, Xhanluixhi Bufon, u dënua për veshjen e një bluze, ku ishte stampuar numri 88. Në numerologjinë neonaziste shifra përkthehet në Heil Hitler, duke qenë se H-ja është shkronja e tetë në alfabet.

Bufon u shpreh se nuk kishte kurrfarë dijenie mbi domethënien e numrit: "Zgjodha 88-ën pasi më sjell në mendje katër topat dhe të gjithë në Itali e dimë sa e rëndësishme është të kesh topa: do të thotë fuqi e vendosmëri".

12. Markus du Sauto, profesor i njohur matematike në Oksford, beson se atletë si Bekam, të cilët mbajnë numra "me fuqi" në fanella kanë rezultate më të mira se të tjerët.

Duke e përforcuar teorinë e tij gjatë një leksioni të mbajtur këtë vit, profesori tha: "Sporti mbështetet fort te psikologjia dhe në rast se beson që numri që mban fsheh diçka të mbinatyrshme, nuk ka asnjë dyshim që do luash më mirë".

13. Në shkurt të këtij viti, një numerolog u burgos për vrasjen në vitin 1988 të një instruktori veturash. 42-vjeçari Martin Braun, kishte shkruar datën e vet të lindjes, numrin e shtëpisë së viktimës dhe datën e vrasjes në një kuti shkrepëseje të gjetur në zonë vite pas krimit.

Prova ndihmoi për të siguruar ekstradimin e Braunit nga Australia, ku ishte zhvendosur pas vrasjes.

14. Numerologët besojnë se njëra nga shifrat që përbën datën e lindjes së një njeriu zbulon shumë mbi personalitetin e tij.

Gjetja e "numrit të shpirtit" të dikujt bëhet duke mbledhur shifrat e datës, muajit dhe vitit të lindjes. Për shembull, për dikë të lindur dje (28.07.2007), duhen mbledhur data e lindjes (2+8=10), muaji (0+7=7) me vitin (2+0+0+7=9).

Pra (10+7+9=26). Dy shifrat mblidhen (2+6) për të dhënë numrin e shpirtit . Mahitma Gandi dhe Tomas Edison gjenden mes një grupi qeniesh njerëzore të përzgjedhur, ku datat e tyre të lindjeve korrespondojnë me "numrat madhorë" 11 dhe 22.

15. Sipas numerologut Endi Bulkraig, edhe numrat e PIN-ëve ruajnë domethënie numerologjike. Për të zbuluar se cila është domethënia, thjesht mblidhni katër shifrat e PIN-it apo kodit tuaj (në rast se shuma është me dy shifra, mblidhini edhe ato).

Njerëzit me fitime të kënaqshme arrijnë shifrën 4, ndërsa filantropët mund të shkojnë edhe tek 9-a, ndërsa ata me dy dysha apo dy katra në kod janë energjikë dhe, sipas Bulkraig, do kenë fitime të kënaqshme.

16. Numerologët nxjerrin gjithashtu domethënie edhe nga emrat. Ata i përcaktojnë numrat 1-9 tre serive të alfabetit: A-I; J-R; S-Z (për shembull numri 2 u korrespondon germave B,K dhe T).

Duke mbledhur vlerat e secilës prej shifrave që u korrespondon germave (nëse totali është me dy shifra, mblidhini) përftohet "numri i shpirtit". Për shembull, numri 3 tregon se je optimist, 4 tregon se je i qëndrueshëm, ndërsa 9 është e lidhur me vizionet e perfeksionin.

17. Nëna e modeles Agunes Dejn (e pagëzuar pas lindjes me Laura Hollins), ia ndërroi emrin së bijës pas lexoi në një revistë një artikull mbi numerologjinë. Aty gjeti edhe kombinacionin që do t‘i dhuronte së bijës "kombinimin shpirtëror" më të mirë. Shpejt vajza la dyqanin ku punonte si shitëse për t‘u hedhur në pasarelat më të rëndësishme të Evropës.

18. Sipas autores Titania Hardi, e përshkruar nga botuesi i saj si "Shtriga e bardhë e parapëlqyer e Britanisë", dita e "forcës së një burri" (shumë e numrave të ditës në të cilën ka lindur) tregon sa i zoti është në shtrat.

Ata me numër 2 pëlqejnë parapërgatitjet e gjata, ata me 7 janë të mërzitshëm dhe ata me 4 nuk janë aspak romantikë.

19. Për numerologët mbërritja e shekullit 21 shënoi edhe nisjen e disa viteve të ngjeshur me data "domethënëse". Më e fundmit i përket datës 07.07.07, e përzgjedhur nga mijëra çifte supersticioze si dita më fatlume për t‘u martuar (përfshi këtu edhe yllin e filmit "Shtëpiake të Dëshpëruara", Eva Longoria, edhe ajo në kërkim të tri shtatave me fat).

20. Dr. Nil Heir, një kimist skocez i kthyer në numerolog, beson se krizat financiare që mposhtën kompanitë "Enron" dhe "Worldcom" mund të shpjegohen përmes shifrës zero. "Dopjozerot e viteve 2001 dhe 2002 përfaqësojnë dosje sekrete dhe skelete të fshehta nëpër dollapë", tha në atë kohë Nil. Heir, gjithashtu, u lexon fatin kompanive, duke analizuar numrat që rrjedhin nga emrat dhe datat e "lindjes" së tyre.

21. Sipas disa numerologëve, të gjitha ngjarjet lidhen me numrin 23. Kjo teori ka gjetur vend në filmin e komikut Xhim Kerri "Numri 23", si edhe në serialin televiziv "Të humbur".

22. Për Xhim Kerrin, numerologjia u kthye në një obsesion gjatë xhirimeve. E ndërroi emrin e kompanisë së tij të prodhimit në JC23, duke cituar, mes arsyeve të tjera, shmangien prej 23 gradësh të tokës nga aksi i saj, 23 sekondat që i nevojiten gjakut për të përshkruar trupin dhe fakti që ka lindur në orën 02:30 të mëngjesit.

Kur Dejvid Bekam u largua nga Britania në drejtim të Realit të Madridit, u ngritën një pafundësi teorish për arsyet për të cilat vendosi ta ndërrojë numrin e fanellës nga 7 në 23.

Disa zëra spekuluan se e kishte bërë këtë për nder të basketbollistit amerikan, Majkëll Xhordan, i cili gjithashtu mbante numrin 23, por për numerologët gjithçka u detyrohet 23 germave që përbëjnë emrat e futbollistit dhe të bashkëshortes "David and Victoria Beckham".

Këngëtari Princ, dikur dëshmitar i Jehovait dhe studiues shumë i përkushtuar i Biblës, është vërtet i fiksuar pas numrit 3121.

Këngëtari nuk e ka treguar kurrë psenë e këtij obsesioni, por janë të shumtë ata që mendojnë se i referohet shtëpisë me qira ku banon në Los Anxhelos.

Vitin që shkoi, pronari i shtëpisë, të cilit Princ i paguan një qira prej më shumë se 50 mijë eurosh në muaj, e hodhi këngëtarin në gjyq, pasi ky e kishte lyer fasadën e shtëpisë me ngjyrë të purpurt (simboli i tij) dhe kishte stampuar në disa vende numrin 3121.

Artisti e ka përdorur disa herë këtë numër: për titull albumi, për sitin e tij në internet dhe për parfumin e tij, të cilin e bëri publik në një koncert bamirësie të mbajtur më 07.07.07.

GSh